PEMA vepron përmes qendrave të kujdesit ditor që gjenden në Ferizaj, Gjilan, Pejë dhe Prizren, për të ofruar shërbime thelbësore të bazuara në komunitet për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët e tjerë të cenueshëm, si dhe ofron mbështetje dhe intervale pushimore për familjet e tyre.

Secila qendër ka ambient të këndshëm për fëmijët dhe mund të qaset lehtë nga ta, duke siguruar kështu një mjedis të sigurt për punë individuale dhe grupore në hapësirat e pajisura mirë, duke përfshirë edhe nga një dhomë multi-senzorike dhe këndin e lojërave në oborret e qendrave.

Stafi ekipor në qendra është i trajnuar për të zhvilluar një numër aktivitetesh të përshtatura për nevojat e secilit fëmijë, duke filluar nga aktivitetet profesionale (ergoterapia) e deri te terapia sensorike, art-terapia dhe terapi fizikale. Sistemi i referimeve është aplikuar me institucionet lokale për të siguruar që nevojat e fëmijëve janë adresuar nga institucionet relevante, duke përfshirë edhe qendrat ditore. Fëmijët janë referuar në qendra nga shkollat, qendrat shëndetësore familjare dhe organizatat tjera joqeveritare në Kosovë.

Stafi i PEMA-s ka marrë pjesë në trajnime të shumta profesionale të drejtuara nga trajnerë ndërkombëtarë dhe vendorë për të siguruar që ata kanë fituar aftësi dhe njohuri për të punuar me fëmijët me aftësi të kufizuara dhe me nevoja të veçanta. PEMA dhe stafi i saj, në vitin 2015, janë licencuar si ofrues të shërbimeve sociale nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Puna në mënyrë holistike (multidimensionale) është thelbi i vizionit të PEMA-s. Shërbimet në qendra, gjithashtu, ofrojnë intervale pushimore për prindërit, gjatë kohës sa fëmijët janë në qendra. Grupet vetë-përkrahëse të prindërve organizohen rregullisht për të ofruar dhe pajisur prindërit me informacione praktike mbi aftësinë e kufizuar të fëmijëve të tyre dhe për të krijuar hapësirë ​​ku ata mund të flasin hapur dhe lirshëm dhe të mësojnë nga njëri-tjetri. “Ardhja në qendër më ka ndihmuar të kuptoj se djali im nuk është problemi – por ankthi im e bëri atë më të frikësuar, gjë që kishte ndikuar në aftësinë e tij për të bashkëvepruar me të tjerët”. Fëmija i Vjosës ndjekë aktivitetet e qendrës së kujdesit ditor në Gjilan.

Advertisements